Ngjarja e fundit në Sheqeras të Maliqit, ku një 15-vjeçar u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar, është vetëm një prej shumë rasteve që tregojnë një rritje alarmante të dhunës mes të rinjve.
Sipas sociologëve, rrënjët e këtyre sjelljeve agresive fillojnë me bullizmin,një fenomen i përhapur por i patrajtuar në institucione arsimore dhe shoqërore.
Sipas tyre kur bullizmi nuk adresohet në kohë, ai shndërrohet në agresivitet të hapur, me pasoja që shkojnë deri te dhuna fizike, madje dhe plagosje të rënda mes moshatarëve.
“Bullizmi në shoqërinë tonë është emergjencë kombëtare, shumë i përhapur dhe problematik. Duhet të rikonceprojmë brezin e sotëm, mendësitë dhe përjetimet e tyre që ndryshojnë në mënyrë frenetike, duhet të punojmë sidomos në fushën e arsimit dhe familjes.
Duhen politika konkrete mbështetëse për të rinjtë”, tha sociologu Eriseld Kalemaj.
Sociologët thonë se brezi i ri po rritet në një realitet të dyfishtë: botën reale dhe botën virtuale të cilën brezi i vjetër nk arrin ta kuptojë.
Teknologjia, mungesa e mbështetjes emocionale dhe boshllëqet në sistemin arsimor po krijojnë një mjedis të favorshëm për agresivitetin.
Ndaj dhe shkollat duhet të luajnë një rol kyç jo vetëm në transmetimin e dijes, por edhe të edukimit emocional dhe social.
“Arsimi duhet të bëjë një reformë rrënjësore në aspektin didaktik dhe mësimor si dhe shërbimit social brenda shkollave. Duhet vëmendje e shtuar ndaj situata problematike gjithashtu. Ndërhyrjet ligjore janë të domosdoshme si masa emergjente, por ato nuk janë zgjidhje afatgjata. Zgjidhja e vërtetë duhet të nisë nga arsimi. Kjo kërkon shtimin e numrit të psikologëve në çdo shkollë, dhe riorganizimin e punës së tyre në mënyrë që të jenë pranë nxënësve, me qasje individuale dhe profesionale”, ka deklaruar ai.