Tuesday, December 10, 2024

“Në pritje të ëmbël“ Barbana Dini

Share

Me Barbanën jam takuar 1 vit më parë në New York në eventin “Nëntori Shqiptar” i organizuar nga Eduart Deda. Teksa mbylli eventin me repertorin e saj muzikor, e gjithë salla shijonte ritmet e këngëve të saj shkodrane dhe jo vetëm. Kisha vite pa e takuar dhe ndjesia që patëm kur takuam njëri-tjetrin ishte e mbarsur me shumë nostalgji dhe mall për Shqipërinë.

E transferuar në tokën amerikane vite më parë, Barbana vazhdoi pa ndërprerje karrierën e saj si këngëtare për komunitetin shqiptar në SHBA.

E takova së bashku më bashkëshortin e saj Elion dhe vajzën, Ergolën dhe të tre bashkë, jetonin në një harmoni të plotë me njëri-tjetrin, të karakterizuar nga thjeshtësia, modestia dhe përulësia, vlera tipike të një familjeje shqiptare që përballë vrullit të jetës amerikane, e ruanin fort mirë respektin për traditat shqiptare.

Tashmë, pas 1 viti, familja e Barbanës do të shtohet me një tjetër pjesëtare, e cila do të plotësojë më së miri kornizën e plotë të familjes.

Këtë intervistë e kemi konceptuar tipike nga ato të vjeshtës, andaj ju sugjerojmë që të merrni një filxhan çaj dhe ta shijoni pak e nga pak çdo rresht të artistes shqiptare.

Barbana, së pari urime për pritjen e ëmbël për herë të dytë. Dukesh më e bukur së kurrë, të ka rënë një nur që e reflekton në çdo moment. Si po të shkon? Mund të na zbulosh disa detaje më shumë?

Faleminderit shumë së pari për urimin! Mund ta them pa frikë se është një nga momentet më të lumtura të jetës sime dhe është e pamundur mos ta reflektosh këtë lloj lumturie. Ky rrugëtim nuk ka qenë shumë i lehtë, por po ia dalim shumë mirë.

Thonë së shtatzanitë e dyta janë më të lehta për t`u menaxhuar për shkak të eksperiencës së mëparshme. Çfarë po bën ndryshe në dallim nga e para?

Kjo qëndron përsa i përket faktit që tashmë je më e përgatitur, e di çfarë të pret etj, ndryshe nga shtatzania e parë ku çdo gjë është e re dhe e panjohur në njëfarë mënyre përveç lumturisë shoqërohet dhe me një ndjesi frike.

Tashmë jam gati dhe mezi po pres momentin kur do mbaj në krah mrekullinë time të dytë…

Tashmë vajza e parë, Ergola ka mbushur 1 vjeç. Sa kohë merresh me të, si i keni ndarë detyrat me bashkëshortin?

Me Ergolën merrem 24/7! Kam vendosur të dedikohem 100% fëmijëve dhe ta shijoj në maksimum çdo moment të rritjes së tyre. Janë prioriteti im. Bashkëshorti sigurisht është më i angazhuar me punët jashtë shtëpisë, por më pëlqen fakti që koha që ai kalon me Ergolën (sadoqoftë ajo) është cilësore dhe kanë një marrëdhënie që emocionohem sa herë i shoh.

Çfarë ka ndryshuar tek ty mëmësia, si grua, si njeri? Çfarë ndjen kur mban vajzën në krahë apo i këndon ninulla?

Shumë gjëra kanë ndryshuar në qënien time në mënyrën si i mendoj, si i përceptoj gjërat. Tashmë siç e ceka dhe më lart, prioritet është Ergola dhe motra e saj që do i bashkohet familjes tonë së shpejti…Çdo gjë fillon dhe mbaron tek ato. Ergolës i kam kënduar shumë dhe vazhdoj ta bëj dhe ajo lumturohet pa masë. Sa herë që e kam në krahë, falenderoj Zotin për bekimet që më dha.

Kemi dëgjuar shumë shpesh se në Amerikë gjen çdo gjë. Po ti në vërtetë, i ke gjetur të gjitha dhe çfarë të mungon?

Këtu ka një shprehje që thonë: Në Amerikë gjen çdo gjë përveçse nënës e babait dhe është mëse e vërtetë. Më mungon shumë familja ime, asgjë tjetër fatmirësisht.

A të mungojnë festivalet, skenat shqiptare, ato “bërrylat”në prapaskenë, ato netët e vona pas një suksesi të madh me koleget e tua?

Më mungon pjesa që të jem sërish e angazhuar me muzikë dhe do rikthehem kur ta ndjej që jam gati, por jo festivalet dhe aq më tepër këto që përmende më lart. Më duket shumë mund për asgjë.

Ëndrra amerikane konsiderohet shpeshherë në zhargonin e përditshëm si “fushë më lule”. Nga eksperienca jote, çfarë ke nxjerrë si mësim që vlen si mesazh për t`u përcjellë tek lexuesit?

Mendoj që konsiderohet fushë me lule nga mundësitë e pafundme që ofron dhe është ashtu vërtet, por asgjë nuk vjen falas. Duhen përpjekje dhe shumë punë për t’ia dalë. Jetojmë në vendin e tretë më të shtrenjtë në botë. Unë kam pasur fatin e mirë që të mos përballem me këtë pjesën e vështirë le të themi. Këtu mëson çdo ditë diçka të re, e adhuroj këtë vend! Është një vend me njerëz pa komplekse, shumë të lirë dhe kjo është një nga gjërat që më bëjnë ta dua më shumë.

Kur vjen mbrëmja dhe të mbërthen nostalgjia dhe hap albumin e fotove ku aty sheh mes të tjerëve dhe buzëqeshjen e vëllait tënd Ergit, (i cili i përket një bote tjetër), çfarë i thua vetes?

Ahh Ergi është peng i madh në jetën time! Më dhemb që ai nuk është pjesë e këtyre momenteve kaq të rëndësishme të jetës sime, më dhemb që vajzat e mia nuk e njohën dajën e tyre e shumë mendime të tjera…

Kurioziteti s`na lë rehat e duam të dimë sesi është një ditë e jotja tipike në SHBA?

Tashmë dita ime sillet rreth Ergolës. Zgjohemi në mëngjes, hamë mëngjes bashkë me vajzën dhe bashkëshortin, pastaj dalim shëtitje në park. Fati ka dashur që të jetë një fëmijë i mbarë që nuk më ka penguar të vazhdoj ditën normalisht duke e marrë kudo me vete.

Bën punë shtëpie, a gatuan & çfarë specialitetesh kryesisht?

Shtëpia ka punë gjithmonë, por për këtë pjesë kam një zonjë që kujdeset. Për të gatuar po, (kur nuk hamë jashtë), gatuaj vetë gjithçka, por kryesisht gjëra tradicionale sepse ato jane të vetmet që na mungojnë…

Kam parë nga afër një marrëdhënie të shkëlqyer me bashkëshortin tënd, një harmoni familjare e cila plotësohet më së miri edhe me praninë e miqve tuaj. Ma përshkruaj ç`ndodh në ato mbrëmjet familjare kur mblidheni të gjithë bashkë?

Është e vërtetë, përveç dashurisë e cila na bashkon, jemi dhe shokë shumë të mirë. Na pëlqen të dyve të kalojmë mirë dhe të shijojmë jetën dhe mundohemi që gjithmonë të gjejmë kohë për ta bërë këtë. Jeta jonë nuk është kurrë e mërzitshme.

Kudo ku shkel ti më koncertet e tua e ndez skenën, publiku çohet në këmbë dhe e shijon muzikën në maksimum dhe ky është fakt! Ti vetë si ndihesh kur të adhurojnë për artin tënd?

Po e marr si kompliment. Të falenderoj! Të them të drejtën nuk ka ndjesi më të mire për një këngëtare. Unë këngën nuk e kam parë kurrë thjesht si punë. Për mua kënga është pasion, është argëtim, është mundësi për të bërë të gëzueshme jetën e njerëzve. Kur i sheh të argëtohen me artin tënd, të bashkohen, të këndojnë e të vallëzojnë me ty, nuk ke si të mos ndjehesh për mrekulli e të argëtohesh edhe vetë bashkë me ata, të gëzohesh me gëzimin e tyre.

Vjen shpesh në Shqipëri dhe a sheh ndryshime?

Kam 3 vitë e gjysmë pa ardhur në Shqipëri, më ka marrë malli pafund dhe mezi pres të rikthehem e pse jo, të shijoj dhe ndryshimet që kanë ndodhur.

Do jetosh përgjithmonë në SHBA?

Një gjë është e sigurtë që në Shqipëri nuk besoj se do rikthehem për të jetuar. Amerika më pëlqen shumë, por edhe Europa. S`i dihet së ardhmes…

Muajt e fundit të shtatzaninë do të bësh pushim absolut nga të gjitha aktivitetet dhe do të kemi ndonjë projekt muzikor që do publikohet paralelisht me pritjen e ëmbël?

Kryesisht po mundohem të merrem me veten këto kohë. Është një projekt i mbetur përgjysmë që pas lindjes së Ergolës që koha nuk mjaftoi pasi mbeta shtatzanë sërish në një kohë të shkurtër. Është një dedikim në bashkëpunim me Irkenc Hykën për vajzat e mia që do të më rikthejë në momentin e përshtatshëm, por jo gjatë kësaj periudhe.

Read more

Local News