1 tetori, Dita Ndërkombëtare e Të Moshuarve. Ngrini telefonin e bëjini një telefonatë dashurie gjyshërve tuaj!

Muaji tetor prej kohësh tashmë është shpallur si muaji i luftës kundër kancerit të gjirit. Por, pak e dinë ndoshta që 1 tetori është dita ndërkombëtare e të moshuarve, ne do të na pëlqente ta quanim festa e gjyshërve, edhe pse ndoshta kanë shënuar ndonjë tjetër ditë për këtë në ndonjë kalendar.

Është bërë e udhës që në artikujt tanë së fundmi, duam apo s’duam, të lidhim ngjarjet me epokën covidiane që po jetojmë, sikurse na ka kushtëzuar jetën dhe aktivitetet e çdo dite. Por nëse ka vend për t’u përmendur kjo epokë e mallkuar është pikërisht në këtë ditë, për faktin se shenjestra e këtij virusi ishin dhe janë ata, të moshuarit.

Jeta, që para koronavirusit na ka sjellë në një sens “braktisjen” e tyre. Nuk kemi më kohë dhe as mundësi të jetojmë me ta, nuk e gjejmë kohën të shkojmë t’i takojmë apo qoftë edhe t’i telefonojmë, nuk jemi më prezent në gjërat që i shqetësojnë dhe mallëngjejnë. E sot, koronavirusi na solli edhe izolimin e tyre.

Është e pashmangshme që në një ditë si kjo, të mos i bëhet homazh secilit gjysh e gjyshe që është larguar nga jeta.

Edhe pse nuk më pëlqejnë ditët e përcaktuara kalendarike për të festuar apo kujtuar, ndonjëherë këto ditë rrisin ndjeshmërinë tonë ndaj së paku problematikave të veçanta që bëjmë sikur i kemi harruar.

E sot është një nga ato ditë.

Ata janë kontribuesit më të mëdhenj të një shoqërie. Shoqëria pasi i ka shtrydhur si limoni, i flak tej dhe nuk kujtohet më për ta. Kontributi i tyre harrohet dhe ata kthehen në një peshë për shoqërinë, madje edhe për familjen.

Ne harrojmë se ata, gjyshërit tanë, janë miniera e arit qoftë për mendimin, qoftë për eksperiencën e qoftë për dashurinë pa kushte. Sa herë ju ka ndodhur të ktheheni pas në kohë, në kohën e fëmijërisë së shpenguar, në ato dhomat e ëmbla të kujtimeve, dhe kë gjen aty? Ata, të ëmblit tanë, gjyshërit tanë. Ua sigurojë se brenda tyre ata vazhdojnë të ndihen të rinj dhe nuk e kuptojnë dot deri në fund, se pse mbartësi fizik i shpirtit të tyre nuk po funksionon më mirë si më parë.

Sot një përqindje e tyre gjenden në shtëpitë e të moshuarve, ndoshta pa kushtet që meritojnë, të braktisur nga ata që u dhanë jetën, të abuzuar herë pas here nga të gjithë e në mëshirë të fatit.

Disa prej tyre enden rrugëve dhe lypin, por shumë prej tyre ruajnë krenarinë e të kaluarit nëpër një rrugë që ne sa po shkelim.

Vlen të theksohet se pas grave dhe fëmijëve, ose bashkë me ta, janë kontigjenti më i sulmuar nga dhuna. Dhe sigurisht, tashmë edhe më të pambrojturit.

Do donim të shihja diçka konkrete bërë për ta në këtë ditë, një përkujtim të kontributit që dhanë ashtu siç e meritojnë, një lule (edhe pse për shumë prej tyre lulja nuk hahet, ndërsa kanë probleme me mbijetesën), rrugë të mbushura me ta e nga ata, së bashku me të rinjtë e familjes.

Sot duhej të ishte dita e tyre, në fakt do të vazhdojë të mbetet një ditë në kalendarin ndërkombëtar, të cilin kanë vrapuar ta shënojnë të gjitha shtetet, ndërkohë që konkretisht, qameti mund të mbajnë ndonjë fjalim për çfarë do të duhet të bëjmë në të ardhmen, kur e sotmja nuk ka rëndësi se ekziston.

Të dashur lexues të revistës sonë, ngrini së paku telefonin në një ditë si kjo, telefonojini gjyshërve tuaj, thuajini se sa shumë i doni dhe se sa mirënjohës jeni ndaj tyre, konkretizojeni këtë ditë që të mos mbetet vetëm si një njollë mbi kalendarin ndërkombëtar!

Enkeleda Ristani – redaksia Vip

Recommended Posts